Duke valëvitur flamurin kombëtar blu dhe të verdhë të Ukrainës dhe me slogane kundër Rusisë, disa qindra mbështetës pro-ukrainas janë mbledhur në Whitehall përballë Downing Street në Londër, raporton BBC, përcjell UBTNews.
Disa nga ta mbajnë pankarta me mbishkrimet “terrorist” dhe “vrasës” duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin.
Turma heshti derisa himni kombëtar i Ukrainës intonohej. Pastaj shpërthyen duartrokitjet dhe brohoritjet: “Stop Putin. Ndalo luftën”.
Olga Smith, një muzikante, artiste dhe mësuese, u zhvendos në Londër nga Ukraina pesë vjet më parë. Vajza e saj është ende aty, së bashku me katër nipërit e saj. Olga thotë se vajza e saj e telefonoi në orët e hershme të mëngjesit për t’i treguar se pushtimi ka filluar dhe se rajoni po bombardohej. Por ajo thotë se kjo nuk filloi sot.
“Po ndodhte qe tetë vjet. Perëndimi duhet të bëjë më shumë për ta ndalur Putinin tani, sepse nëse nuk veprojnë, ai nuk do të ndalet”, deklaroi ajo mes tjerash./UBTNews/