Sindikata e Postës dhe Telekomunikacionit ka protestuar të martën pasi që punëtorët kanë mbetur pa paga që nga 29 shkurti.
Në protestën e cila zgjati gjysmë ore, u kritikua vendimi i gjyqësorit rreth për bllokimit të llogarive bankare në këtë ndërmarrje.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, tha se nuk i përjashtojnë as grevat nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.
“Këta janë vetëm një pjesë e atyre punëtorëve dhe është hera e parë po bëjmë një protestë brenda pauzës së punës. Po e them shkalla e dytë e ka marrë një vendim në favor të Telekomit dhe për çka se prape është shkarkuar gjyqtarja. Kisha kërkuar nga kolegji i shkallës së dytë komerciale që të merr një vendim, besoj që prapë ka me pru vendimin pozitiv, të mos na lajnë të mbesim pa paga, të gjithë ne kemi familje, 90 për qind e punëtorëve jemi në kredia”, tha Balaj teksa kërkoi hetim nga ana e Prokurorisë së Shtetit.
“Kërkesa jonë tjetër është që sa më parë duhet Prokuroria e Shtetit të mos rrijë në gjumë, sepse nuk i kemi bërë thirrje sa për sy e faqe, sepse Telekomi është shkatërruar nga kontrata, qeveritë janë ata që e kanë menaxhuar Telekomin e Kosovës”, u shpreh Balaj.