Punëtorët e sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) kanë protestuar duke kërkuar realizimin e kërkesave të tyre që i kanë tash e sa vite. Me pankartat me mbishkrimet “Ne jemi të huazuar dhe jo të privatizuar”, “Nuk lejojmë të shitemi tutje”, kanë protestuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt objektit të Qeverisë. Ata kërkojnë respektimin e të drejtave të garantuara me ligj si dhe kthimin e Departamentit të sigurisë fizike në KEK. Sipas tyre, nëse kërkesat e tyre nuk realizohen së shpejti, ata do të hyjnë në grevë prej datës 24 mars.
Kryetari i Shoqatës Sindikale “Mbrojtja dhe Siguria”, Haki Azemi thotë se që më shumë se 15 vite padrejtësitë ndaj shërbimit të sigurisë së KEK-ut nuk kanë të ndalur dhe se qëllimi i tyre është t’u thonë stop manipulimeve.
“Ne ishim pjesë e saj, ishim dikur, por më të drejtë kërkojmë që të jemi prapë të kthehemi aty ku ishim dikur sepse padrejtësisht na kanë ndarë, na kanë tjetërsuar dhe për interesa të grupeve, që unë di t’ju them edhe kriminale të disa individëve, të cilët ishin shumë të ngushtë me qeveritë e kaluara dhe me anën e tenderëve na kanë tenderuar, shitur, rraskapitur dhe në fund na kanë plaçkitur”, tha ai.
Nga sheshi pranë objektit qeveritar, Azemi paralajmëroi grevë nëse nuk ka ndonjë përgjigje qoftë edhe ajo me vendim të shkruar deri me datën 23 mars.
“Në emër të Shoqatës Sindikale ‘Mbrojta dhe Siguria’, kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministres Rizvanolli dhe të gjithë të tjerëve akterë në këtë proces në qoftë se kërkesat tona legjitime hasin në vesh të shurdhër atëherë ne jemi të detyruar ta përdorim edhe mjetin e fundit, por jo të paligjshëm, të ligjshëm që ta shpallim një grevë gjithëpunëtore… Prandaj kërkesa jonë është legale, legjitime në qoftë se Qeveria, ministria edhe KEK-u nuk merren me punën tonë seriozisht me datën 24 mars, unë paralajmëroj nga këtu grevë gjithëpunëtore, do i mbyllim laurat e KEK-ut edhe do i vështirësohet puna e prodhimit të energjisë elektrike… Që padrejtësitë në të kaluarën t’i korrigjojmë jemi të shtyrë grevën ta mbajmë deri në realizimin e kërkesës sonë”, u shpreh ai.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica thotë se ky departament është huazuar ne vitin 2004, 2 plus 1, mirëpo që asnjë e drejtë nuk ka ndodhur që atëherë. Nga Qeveria e Kosovës po kërkojnë realizimin e kërkesave, duke theksuar se në këtë departament nuk ka vetëm penzioner të punësuar, por ka edhe të rinj.
“Kjo qeveri e tanishme në një të kaluar na ka thënë se keni të drejtë plotësisht, sepse huazimi nuk është privatizim, sepse kjo shoqëri nuk ka marrë aksione se këtë shoqëri nuk e ka privatizuar askush. Kjo po tenderohet paligjshëm, prandaj sot po i themi mos i kërkoni edhe ju 20 vite, filloni punë ashtu siç keni premtuar ndaj kësaj klase punëtore, ndaj këtij departamenti… Nëse dje ka qenë i padrejtë tenderimi unë, besoj që Ligji i punës edhe ligjet në Kosovë nuk kanë ndryshuar prandaj kemi të drejtë”, theksoi ai.
Para objektit të Qeverisë protestuesit kanë qëndruar të ulur në tokë rreth 10 minuta duke kërkuar takim me kryeministrin, por që ky i fundit nuk është paraqitur. Nga aty vazhduan drejt Kuvendit të Kosovës ku edhe nga aty kërkuan takim me deputetë, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur kërkesë së tyre.