Shoqata Sindikale “Siguria Fizike” në KEK kanë protestuar të hënën para zyrave të kësaj korporate në Prishtinë. Ata kanë kërkuar kthimin si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht siç thanë jashtëligjshëm në sektorin privat.
Kryetari i kësaj shoqata, Nexhat Murati tha se kërkojnë një takim urgjent me menaxhmentin e KEK-ut për të mos hyrë në grevë më datën 13 të këtij muaji.
“Ne i kërkojmë KEK-ut një takim urgjent, për të na dhënë një mundësi që mos të futemi në grevë nga data 13 të këtij muaji. Ne po kërkojmë drejtësi . Kemi marrë vesh që KEK-u po shpallë tenderë në mënyrë të paligjshme. Ne nuk kemi rrugëdalje tjetër përpos grevës që do ta mbajmë pikërisht këtu me një tendë që e kemi marrë lejen nga komuna dhe policia e Kosovë”, tha Murati.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se në KEK është bërë një tender i jashtëligjshëm.
“Arsyeja e kësaj proteste të shpejtë është, sepse ky departament është huazuar në vitin 2004 dhe në vitin 2007 që është dashur të kthehet në KEK. Është bërë një tender i jashtëligjshëm. Këta punëtorë kanë paga shumë të ulëta dhe sigurimi i KEK-ut nuk mund të jetë një sigurim i mirë ashtu siç mund të jetë brenda kompanisë së KEK-ut”, tha ai.