UBT News

Protestohet në Ferizaj, kërkohet drejtësi për Marigona Osmanin

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar për të kërkuar drejtësi për Marigona Osmanin dhe ndëshkim maksimal për vrasësit e saj para Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime si “Dënim maksimal për Dardan Krivaqën dhe Arbër Sejdiun” e “Motivi i vrasjes: Patriarkaliteti”.

Bjeshka Guri, aktiviste tha se nuk duhet të lejohet që Marigona Osmani të vritet për herë të dytë nga shteti. Ajo ka kërkuar dënim maksimal për dy të dyshuarit për vrasjen e Marigonës.

“Të dashura të pranishme e të dashur të pranishëm, jemi mbledhë këtu, në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit, për të mos lejuar që padrejtësia për Marigonën të vazhdojë edhe për s’vdekuni. Jemi mbledhë këtu meqë jemi dëshmitare se gjykatat në Kosovë kanë amnistuar vazhdimisht burrat që kanë vrarë gratë, duke i lënë të lirë e me dënime shumë të ulëta”, thuhet në reagim.

“Krivaqa dhe Sejdiu e vranë Marigonën me 22 gusht 2021. E sot, kur po i afrohemi dy vjetorit të vrasjes së saj, nuk mund të lejojmë që ajo të vritet nga shteti për herë të dytë. Nuk mund të qëndrojmë të qeta përderisa kjo gjykatë e çdo institucion tjetër shtetëror rreshtohet në anën e grave. Ne e kemi theksuar që nga kjo gjykatë duam asgjë më pak se dënime maksimale për Krivaqën dhe Sejdiun. E nga këtu, çojmë mesazhe për çdo institucion që t’i mbrojë gratë para se të jetë shumë vonë dhe prapë e theksojmë që shteti duhet ta trajtojë femicidin si urgjencë shtetërore. Ne kemi ardhë këtu, e këtu do të presim e rezistojmë deri sa të vendoset pak drejtësi për Marigonën e siguri për çdo vajzë e grua në Kosovë”.

Sipas aktakuzës, më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e Krivaqa e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ai ishte në bashkësi jashtëmartesore.

Exit mobile version