Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, së bashku me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Rrjetin e Grave të Kosovës (RRGK), kanë zhvilluar një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës për të protestuar kundër premtimeve të partive politike në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Me një baner në duar që mbante mbishkrimin “Politika për barazi, Jo paga për riprodhim”, ata kërkuan që gratë të mos shihen si mjet riprodhimi nga partitë politike.
Eleta Shala nga RRGK ka theksuar se këto premtime nuk janë mbështetje për gratë, por përpjekje për të kontrolluar trupin e gruas dhe për t’i shtyrë ato në role tradicionale të kujdesit dhe lindjes, nën pretendimin e “sigurisë së kombit” dhe “rritjes së natalitetit”. Ajo e cilësoi këtë si një strategji për të forcuar kontrollin mbi trupin e gruas dhe për të bërë riprodhimin një detyrë, jo një zgjedhje.
Shala theksoi se këto politika nuk janë një progres, por një kthim prapa, duke kufizuar autonominë e grave dhe duke i privuar ato nga mundësitë për t’u angazhuar në fuqinë punëtore dhe të zhvillojnë aspiratat e tyre. Ajo kërkoi politika që mbrojnë dhe fuqizojnë gratë, duke garantuar të drejtat riprodhuese dhe mbështetje për punësimin e grave dhe kujdesin ndaj fëmijëve./UBTNews/
Foto: Driton Paçarada