UBT News

Protestë për të tretën ditë për serbin që u arrestua për krime lufte

Për të tretën ditë me radhë, në Graçanicë është protestuar në kundërshtim të arrestimit të Dragisha Milenkoviq, për të cilin ekziston dyshim i arsyeshëm se ka kryer krime lufte në Kosovë.

Protesta e tyre ka nisur në orën 12:00 para stacionit policor në këtë komunë, e pastaj kanë ecur deri te manastiri i Graçanicës.

Ata kanë kërkuar lirimin e Milenkoviqit, ndaj të cilit autoritetet e Kosovës kanë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, si gardian i burgut në Prishtinë ka ushtruar torturë, dhunë fizike e psikike, ndaj të burgosurve shqiptarë.

“Edhe pse nuk jam jurist në punën time në sektorin joqeveritar, kam pasur mundësi të takohen kodin penal në Kosovë dhe absolutisht mund të pohoj se askund, por absolutisht askund, thotë se është vepër penale të jesh serb, se është vepër penale të festosh festen ose se është krim të jetosh në pronat e stërgjyshërve dhe gjyshërve të tu. Megjithatë, me arrestimet gjithnjë e më të shpeshta të serbëve në Kosovë, nuk mund e të mos vërej se ndoshta ky është një nga krimet më të mëdha në këtë krahinë jugore, kjo se dikush është serb dhe se dikush jeton në pronën e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre… Dhe përsëri, unë nuk kam përgjigje, përgjigje për atë pyetje, ashtu si sot nuk kemi përgjigje pse Milenkoviç, pse miqtë, baballarët, vëllezërit tanë, pse u arrestuan”, ka thënë protesutesi Dusan Borisavljevic.

Para protestuesve ka folur edhe Ratko Popovic.

“E gjithë kjo ndodhi tre ditë më parë, lutjet tona u drejtuan, që fuqitë e mëdha, që pikërisht ata që shkaktuan gjithë këtë fatkeqësi këtyre popujve që jetojnë në këtë zonë, që të mblidhemi për të kërkuar drejtësi dhe për të përsëritur të njëjtat gjëra përgjithmonë. Ne kërkojmë paqen, kërkojmë lirinë për fëmijët tanë, për familjet tona dhe për fqinjët tanë me të cilët kemi jetuar mirë, kemi shkuar në të gjitha shkollat, fakultetet e kështu me radhë…E gjitha kjo u zhduk, erdhi kaosi, rrëmuja, mosmarrëveshja, mos durimi me asgjë, urrejtja, vuajtja, kotësitë njerëzore që janë të tmerrshme, që shkaktuan një persekutim të tillë këtu, veçanërisht të popullit serb, dhe askush nuk e ka të lehtë në Kosovë”, u shpreh ai.

Milenkoviq është arrestuar të mërkurën në zonën e Graçanicës, nga Policia e Kosovës, ndërsa një ditë më vonë Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, nga data 24.05.1999 deri me 10.06.1999, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë, kishin keqpërdorur autorizimet zyrtare.

Tutje bëhet e ditur se pasi i kishin transferuar të burgosurit shqiptar nga burgu i Dubravës për në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit dhe të dyshuarit kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme.

Gjithashtu është theksuar se pas kësaj, në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë çnjerëzore, duke maltretuar e shkaktuar e lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë.

Pas arrestimit të tij, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë duhet të vihen para drejtësisë.

Exit mobile version