Qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile por edhe fytyra publike sot u bashkuan dhe u bënë të gjithë njëzëri për të protestuar kundër dhunës ndaj grave. Kjo protestë e cila u organizua nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kundër dhunimit të grave, u mbajt si shenjë revolte pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares prej 5 meshkujve.
Nën thirrjet “5 djem, 7 orë, çika 11 vjet”, “Boll ma”, “Pedofilët në burg”, “Duan vepra jo statuse”, “Çika e gra, jemi bashkë krahë për krahë”, “Nuk ka dështuar nëna, ka dështuar shteti”, protestuesit kërkuan reagim dhe mbrojtje e siguri për gratë dhe vajzat në Kosovë.
Nga sheshi “Zahir Pajaziti” ku edhe nisi protesta, turma e njerëzve u nis drejt Ministrisë së Drejtësisë ku si shenjë proteste, objekti i kësaj ministrie u ngjyros me ngjyrë të kuqe.
Protestuesit më pas vazhduan duke brohoritur “Marre”, drejtë ndërtesës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovë, ku të dyja këto objekte po ashtu u gjuajtën me ngjyrë të kuqe.
Prej Policisë së Kosovë, protestuesit më pas vazhduan rrugën deri tek Kuvendi i Kosovës dhe më pas ndaluan tek Qeveria e Kosovës. Edhe këto dy objekte u ngjyrosen me të kuqe nga pjesëmarrësit në protestë.
Protestuesit gjatë marshit të tyre bënin thirrje dhe për shkarkim të prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve.
Aktivistja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Trina Binaku tha se vetëm në gjashtëmujorin e këtij viti janë raportuar 36 raste të përdhunimit të femrave. Ajo tha se dhunimi i 11-vjeçares është alarm për të gjithë e sidomos për shtetin i cili tha se po vazhdon të jetë në anën e dhunuesve.
“Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 janë raportuar 36 raste të përdhunimit në polici për të kuptuar që dhuna nuk është vetëm një ngjarje e trishtuar dhe e shëmtuar siç po cilësohet nga disa është një shpërfaqje e dhunës sistematike që vajzat dhe gratë në Kosovë e përjetojnë në baza ditore. Rasti i përdhunimit të vajzës së mitur është alarm për të gjithë ne e pikë së pari edhe për shtetin i cili edhe sot vazhdon të jetë në anën e dhunuesve. Është pikërisht ky sistem patriarkal me të gjitha patericat dhe ai i cili është duke prodhuar vazhdimisht përdhunues… Në këtë shtet vajzat e vogla abuzohen në shtëpi, shkolla, rrugë e sheshe e paqe institucione publike e private për ta shpesh ka vetmi dhunohen për së dyti kur atyre nuk iu beson shteti i cili përveç që nuk iu beson i lë prapë në duart e dhunuesve”, tha ajo.
Ajo paraqiti edhe tri kërkesa kyçe që ishinkrijimi i mekanizmave efektiv për trajtimin me dinjitet për të mbijetuarat e dhunës seksuale, trajtimi i drejtë i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimin dhe përdorimin e gazit lotsjellës për vetëmbrojtje.
“Durimit tonë paqësor po i vjen fundi ‘Boll më’, ‘Nuk ka protesta paqësore më’… E përderisa ju jeni duke dështuar të na mbroni edhe ju jeni armiku ynë dhe ndaj jush do të ngrihemi nëse ju nuk filloni me procedimin e kërkesave tona për krijimin e mekanizmave efektiv për trajtimin me dinjitet për të mbijetuarat e dhunës seksuale, trajtimin e drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimin dhe përdorimin dhe shpërndarjen e gazit për vetëmbrojtje, krejt çikat nga një sprej në çantë”, theksoi ajo.
Dhunimi i 11-vjeçares ngjalli reagime të shumta edhe të fytyrave të njohura publike që edhe sot ishin në protestë si këngëtarja, Dafina Zeqiri e cila u pa nën shoqërimin e ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, pastaj ishte edhe Shyhrete Behluli, deputeti i LVV-së, Armend Muja, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Protesta që kërkojnë drejtësi, mbrojtje dhe siguri për gratë pas dhunimit të 11-vjeçares sot do të mbahen edhe në Tiranë por edhe në Shkup.
Rasti i dhunimit të 11-vjeçares është raportuar se ka ndodhur të shtunën në parkun e “Arbërisë”, ku Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona, ndaj katër prej tyre është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa për të pestit sot mbahet seanca gjyqësore.
Për shkak të këtij rasti, dje ka dhënë dorëheqje edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ndërsa sot u dorëhoq edhe drejtori Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve pranë Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Ali Gashi.