Grupi “Asnjë cent më shumë” ka njoftuar se do të organizojë një protestë të re më 19 prill, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në orën 12:00, dhe organizatorët kanë ftuar qytetarët të marrin pjesë në masë.
Besnik Shabiu, organizatori i protestës, ka deklaruar se protesta është një reagim ndaj vendimit të ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se, nëse autoritetet nuk reagojnë, grupi nuk përjashton mundësinë e përshkallëzimit të aksioneve. Ai paralajmëroi se mund të ndodhin bllokime të rrugëve dhe institucioneve, për të siguruar që zëri i qytetarëve të dëgjohet.
Shabiu ka shtuar se protesta e nesërme vjen në një moment të rëndësishëm, pasi të njëjtën orë mbahet edhe vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai bëri thirrje për deputetët e zgjedhur që, sapo Kuvendi të konstituohet, të thirret komisioni për energji dhe ZRRE-ja për të raportuar mbi çështjen e rritjes së çmimit të energjisë.
“Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet pa ndërprerë. Ne do të vazhdojmë të jemi të zëshëm, dhe nëse pas kësaj proteste nuk ka reagim, do të jemi të detyruar të përshkallëzojmë aksionet”, tha Shabiu.
Ai gjithashtu njoftoi se po shqyrtohen mundësitë e pezullimit të pagesave për energjinë elektrike për qytetarët si një masë për të mbrojtur interesat e tyre. “Ky është një kërkesë legjitime e qytetarëve. Kur institucionet nuk punojnë për qytetarët, pse duhet të funksionojnë?”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Ardian Bajraktari, një nga përfaqësuesit e grupit, ka bërë të ditur se ekipi i tij po punon për hartimin e padisë për anulimin e vendimit të aktit administrativ nga ZRRE. Sipas tij, ky vendim është marrë në shpërputhje me autorizimet e këtij institucioni dhe ka dëme të mëdha për qytetarët. Ai ka njoftuar se janë duke përgatitur gjithashtu një propozim për një masë të përkohshme, për të shtyrë ekzekutimin e vendimit derisa të shqyrtohet nga gjykatat.
Ky zhvillim vjen pas njoftimit të ZRRE-së për një rritje të çmimit të energjisë elektrike për 16%, që do të hyjë në fuqi nga muaji maj. Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët, bizneset dhe subjektet politike, që po kundërshtojnë një rritje të tillë. Protesta të ngjashme janë mbajtur tashmë dhe grupet e aktivistëve po kërkojnë anulimin e këtij vendimi.
Për më shumë, grupi “Asnjë cent më shumë” ka paralajmëruar se do të vazhdojnë aksionet deri në arritjen e kërkesave të tyre dhe kanë ftuar qytetarët të bashkohen në protestën e nesërme për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj shtrenjtimit të rrymës.