UBT News

Protestat përshkallëzohen në Francë, rreth 400 shkolla mbyllen të premten

Rreth 400 shkolla dhe institucione arsimore në Francë pritet të mbeten të mbyllura të premten, pasi protestat studentore, të nisura fillimisht për shkak të problemeve në sistemin arsimor, janë përshkallëzuar në dhunë në disa qytete të vendit.

“Ka pak më shumë se 400 shkolla dhe institucione të tjera arsimore që, sipas informacioneve që kam, do të mbyllen”, deklaroi ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray, në një intervistë.

Sipas Reuters, duke iu referuar një burimi pranë kryeministrit francez, Sebastien Lecornu, agjencitë e inteligjencës u thanë zyrtarëve në një takim të krizës të enjten se lëvizja protestuese ishte nxitur nga politikanë të së majtës ekstreme, përfshirë anëtarë të partisë La France Insoumise (LFI).

Ligjvënësi i LFI-së, Louis Boyard, i ka mohuar këto pretendime në deklaratat e tij për mediat franceze.

Protestat, të cilat nisën muajin e kaluar në rajonin e Parisit, u nxitën nga pakënaqësitë për mungesën e mësuesve dhe gjendjen e rënduar të disa ndërtesave shkollore. Ato janë përhapur gradualisht në pjesë të ndryshme të vendit dhe janë shoqëruar me përplasje, dhjetëra të plagosur dhe qindra arrestime nga policia.

Sipas Reuters, gjatë së enjtes protestuesit dogjën zjarre në të paktën dy shkolla të mesme. Në një tjetër shkollë në qytetin jugor të Marsejës, disa mësues u spërkatën aksidentalisht me benzinë, sipas autoriteteve.

Ndërkohë, në Strasburg, në lindje të Francës, të paktën një automjet u dogj, ndërsa në Tuluzë, në jugperëndim të vendit, policia u përlesh me protestuesit e rinj.

Autoritetet franceze po përpiqen të frenojnë përshkallëzimin e protestave, ndërsa mbyllja e qindra institucioneve arsimore pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin normal të mësimit të premten.

D.L

Exit mobile version