Angola është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Afrikë, por vendi nuk ka rafineri të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën e brendshme, kështu që importon naftë dhe benzinë me çmime të larta.
Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe mbi 500 janë arrestuar në Angola, pas protestave të dhunshme që shpërthyen të hënën si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburantit. Ngjarjet kanë tronditur kryeqytetin Luanda dhe disa qytete të tjera, duke nxjerr në pah tensionet sociale të shkaktuara nga masat ekonomike të qeverisë.

Të drejtat e autorit KSTV Uganda/X
Protestat nisën pas vendimit të autoriteteve për të rritur çmimin e naftës, në përpjekje për të reduktuar barrën financiare që subvencionet e karburantit po i shkaktojnë buxhetit të shtetit. Ky vendim shkaktoi pakënaqësi të gjerë, sidomos në mesin e drejtuesve të mjeteve të transportit publik.
Shoqatat e taksive në Luanda, përfshirë ANATA, reaguan menjëherë duke rritur çmimet e biletave me 50% dhe duke shpallur një grevë tre-ditore. Në këtë valë zemërimi publik, protestat morën hov dhe shpejt u përshkallëzuan në përleshje me policinë, vandalizime të bizneseve dhe plaçkitje të dyqaneve e bankave.
Sipas zëdhënësit të policisë, Mateus Rodrigues, rreth 45 dyqane dhe 20 autobusë publikë janë dëmtuar gjatë trazirave, ndërsa autoritetet raportojnë se ende ka “vatra çrregullimi” në disa pjesë të kryeqytetit.
Ndërkohë, ANATA është distancuar nga dhuna, por ka deklaruar se greva do të vazhdojë. “Është bërë e qartë se zëri i shoferëve të taksive pasqyron protestën e popullit të Angolës,” thuhet në një deklaratë të shoqatës.
Angola, megjithëse është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Afrikë, përballet me mungesë kapacitetesh përpunuese dhe është e detyruar të importojë naftë dhe benzinë me kosto të larta. Qeveria ka nisur që në vitin 2023 një program për reduktimin gradual të subvencioneve të karburantit — një masë që vazhdimisht ka nxitur zemërim publik dhe protesta, disa prej të cilave janë shndërruar në tragjedi.