Policia është përleshur me demonstruesit në kryeqytetin e Kanadasë, Otava, teksa po lëvizin për t’i dhënë fund një proteste trejavore kundër mandatit të vaksinës, me 100 arrestime.
Operacioni nisi herët të premten pasi qeveria thirri Aktin e Emergjencave për të goditur protestën. Disa protestues që rezistuan u hodhën përtokë dhe i kishin duart të lidhura.
Policia ka akuzuar gjithashtu protestuesit për përdorimin e fëmijëve si mburojë.
Një grup protestuesish kanë mbetur në qytet në kundërshtim me urdhrat për t’u larguar. Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan qindra oficerë policie që përparonin në zemër të zonës së protestës, pranë Kodrës së Parlamentit.
Disa nga protestuesit e mbetur formuan një rresht përpara oficerëve që po afroheshin, duke lidhur krahët dhe duke kënduar O Canada – himnin kombëtar.
Policia e Otavës ka ngritur pothuajse 100 pika kontrolli policie rreth zonës kryesore të protestës, si dhe një lagje të madhe biznesi dhe banimi në qendër të qytetit për të parandaluar hyrjen e më shumë protestuesve në zonë.
Në kuadër të operacionit policia ka tërhequr edhe 21 automjete. Asnjë protestues nuk u lëndua gjatë operacionit dhe të arrestuarit përballen me akuza të ndryshme, tha shefi i përkohshëm i policisë së Otavës, Steve Bell./UBTNews/