Një nga aktivistet më të njohura të Iranit përshkroi tmerrin që përjetojnë të burgosurit, përmes një letre që u shkrua brenda burgut famëkeq.
Sepideh Qolian ka vuajtur një dënim prej pesë vitesh që nga viti 2018, pasi u dënua për veprim “kundër sigurisë kombëtare” për mbështetje të një proteste. Nga burgu Evin, ajo përshkruan trajtimin brutal të saj dhe të burgosurve të tjerë nga hetuesit. Rrëfimet e tyre të detyruara transmetohen më vonë në televizionin shtetëror.
Duke aluduar në protestat aktuale antiqeveritare që kanë përfshirë vendin, Qolian shkruan:“Në vitin e katërt të burgimit tim më në fund mund të dëgjoj hapat e çlirimit nga i gjithë Irani. Jehona e “Grua, Jetë, Liri” dëgjohet edhe nëpër muret e trasha të burgut të Evinit”.
Qolian aktualisht është duke studiuar drejtësi në burg. Në letrën e saj ajo përshkruan sesi krahu “kulturor” i Evinit – ku ajo jep provimet e saj – është shndërruar në një ndërtesë “torturash dhe marrjes në pyetje” dhe thotë se ka qenë dëshmitare e marrjes në pyetje të të burgosurve të rinj. Salla e provimit është mbushur me djem dhe vajza të reja dhe dëgjohen britmat e torturuesve, shkroi ajo tutje.
Qolian përshkruan një skenë që ajo e pa më 28 dhjetor të vitit 2022.
“Është ftohtë dhe po bie borë, afër është dera e daljes nga ndërtesa, një djalë i ri me sy të lidhur dhe i veshur vetëm me një bluzë të hollë gri është ulur përballë një hetuesi. Ai po dridhet dhe po lutet: “Betohem në zot se nuk e rraha askënd. Ata donin që ai të rrëfente. Teksa po kaloj bërtas: “Mos u rrëfeni” dhe “Vdekje ju tiranas””, shkroi ajo mes tjerash në letër.
Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA), deri më tani, të paktën 519 protestues – përfshirë 69 fëmijë – janë vrarë dhe 19 mijë e 300 janë arrestuar. Mijëra të tjerë janë burgosur.
Shumë prej të arrestuarve përballen me dënim me vdekje dhe deri më tani katër protestues janë varur pasi rrëfimet e tyre u shfaqën në TV./UBTNews/