Të paktën 20 persona u plagosën dhe 103 të tjerë u arrestuan në protestat antiqeveritare në Argjentinë, të mbështetura nga sindikatat, organizatat e ndryshme të shoqërisë civile dhe tifozët e ekipeve të futbollit.
Qindra protestues u përleshën me forcat e sigurisë, pasi u mblodhën në sheshin e Kongresit në kryeqytetin Buenos Aires. Në incidentet në të cilat policia ndërhyri me gaz piper dhe ujë me presion, u plagosën 20 persona prej të cilëve 1 rëndë ndërsa 103 të tjerë u arrestuan.
Me pankartat dhe tabelat që mbajtën, protestuesit kërkuan përmirësime të kushteve të jetesës, veçanërisht pensioneve. Duke reaguar ndaj politikave ekonomike të presidentit Javier Milei, sindikatat deklaruan se do të shtojnë intensitetin e protestave nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Ndërkohë fotoreporteri argjentinas Pablo Grillo, u plagos rëndë kur një bombël gazi lotsjellës e goditi në kokë teksa po filmonte protestat. Thuhet se Grillo po vazhdon trajtimin në spital.
Ministrja e Sigurisë Kombëtare, Patricia Bullrich në një deklaratë për mediat tha se do të marrin masa të ashpra kundër protestuesve që dëmtojnë pronën publike. Në imazhet e shpërndara në rrjetet sociale, shihen shumë automjete të përmbysura dhe prona publike të shkatërruara.
Në Argjentinë mosha e daljes në pension është 60-vjeç për gratë dhe 65-vjeç për burrat. Rreth 7.4 milionë pensionistë në vend përbëjnë 15.7 për qind të popullsisë së përgjithshme.