Një kongresmen ka propozuar një amendament që do t’i lejojë Donald Trump të shërbejë për një mandat të tretë si President i SHBA.
Sipas mediave të huaja, Andy Ogles, një republikan nga Tenesi, ka prezantuar një rezolutë të përbashkët për të ndryshuar Amendamentin e 22-të, i cili aktualisht ndalon këdo që të shërbejë më shumë se dy mandate si president.
Formulimi i tij i ri do të lejonte një President të shërbejë tre mandate, për sa kohë që vetëm dy prej tyre janë të njëpasnjëshme. Është një propozim i synuar krejtësisht për Trump, të cilin Ogles e bën të qartë në një deklaratë.
“Ky amendament do t’i lejonte Presidentit Trump të shërbejë tre mandate, duke siguruar që ne të mund të mbajmë udhëheqjen e guximshme për të cilën kombi ynë ka aq shumë nevojë,” thotë ai.
Por ndryshimi i Kushtetutës është jashtëzakonisht i vështirë, duke kërkuar mbështetjen e dy të tretave të Dhomës dhe Senatit. Edhe mbështetja e çdo republikani në Kongres, e cila nuk është aspak e garantuar, nuk do të mjaftonte.