Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi tha se botimi i këtij libri ishte shumë i nevojshëm për këtë kohë pasi që shpesh herë mënyrat jo të sakta të informimit përmes internetit dhe kanaleve tjera të internetit nuk ofrojnë njohuri të duhura.
“Kohëve të fundit, edukimi seksual është bërë një temë e cila po vërehet se në shoqërinë tonë ka nevojë të trajtohet, dhe konsiderojmë që është pikërisht akademia dhe aspekti profesional i trajtimit të saj, ai i cili prinë drejt kësaj teme në shqyrtimin dhe dhënien e përgjigjeve drejt pikëpyetjeve konkrete, në aspektin e edukimit dhe të ngritjes së debatit e trajtimit për informimin dhe edukimin mbi shëndetin seksual”, tha rektori Hajrizi.
Dekan i Shkencave Mjekësore në UBT, prof.dr Fitim Alidema, njëherësh edhe recenzent i librit, ka vlerësuar tejet lartë këtë libër të autorit Hajrullah Fejza duke thënë se edukimi mbi seksualitetin duhet të fillojë nga familja, nga prindërit, në shkollë nga mësimdhënësit të përgatitur për të trajtuar tema të tilla.
“Ky libër dhe disa kapituj me rendësi të këtij libri do të ju shërbej studenteve tanë të Shkencave Mjekësore të edukohen më mirë rreth jetës seksuale po ashtu të marrin më shumë informacione rreth jetës seksuale të shëndetshme, Këto informacione t’i shpërndajnë edhe te moshatarët e tyre”, tha prof.dr Fitim Alidema.
Specialisti i sëmundjeve infektivë, njëherit edhe recenzent i librit, prof.dr Ilir Tolaj, ka vlerësuar punën e profesorit Fejza, duke thënë se ai i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edukimit seksual për nga aspekti shkencorë.
“Seksualiteti është një pjesë integrale e të qënit njeri dhe një diskutim i hapur i çështjeve të seksualitetit është i rëndësishëm për promovimin e shëndetit dhe përgjegjësisë seksuale. Libri i doktorit të mjekësisë dhe shkencave, Hajrullah Fejza, i cili është i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe, i adreson shumë aspekte seksuale, dhe zotëri Fejza seksualitetit të njeriut dhe shëndetin seksual i referohet përmes shumë faktorëve që ndikojnë në funksionimin seksual dhe riprodhimin”, ka thënë Tolaj.
Profesoresha e Psikologjisë në UBT, Violetë Zefi, nënvizoi rëndësinë e edukimit seksual duke theksuar se një lëndë e tillë do të ishte shumë e mirëseardhur në shkolla.
“Kjo e ka vënë në pah rëndësinë që e ka edukimi seksual dhe rrjedhimisht domosdoshmërisht një lëndë e tillë të fillohet të ligjërohet, personalisht do të preferoja ta quaja jo edukim seksual por edukim shëndetësorë”, ka thënë ajo.
Autori i librit, Hajrullah Fejza ka treguar se ky libër ju dedikohet atyre që duan të mësojnë për seksualitetin e që vijnë nga fusha e shkencave mjekësore, psikologjike e sociale e pastaj edhe gjithë atyre njerëzve kureshtar që duan të informohen për seksualitetin, duke filluar nga parahistoria e deri në ditët e sotme.
Tutje, Hajrullahu tha se shpreson shumë që ky libër do t’iu shërbej për të mësuar ato gjëra për të cilat lexuesit kanë nevojë më shumë, duke qenë i sigurt se të gjitha informatat e dhëna kanë mbështetje në evidencë të bazuar shkencore.