Komuniteti i të shurdhërve në Kosovë do të kenë më të lehtë të marrin shërbime nga gjykatat, pasi sot u promovuan tabletët që do t’i mundësojë të shurdhërve qasjen dhe komunikimin me stafin e gjykatave përmes lidhjes online me interpretët e gjuhës së shenjave.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, duke ofruar mbështetjen ndaj këtij komuniteti, tha se në çdo hyrje të gjykatave do të ketë tabletë që do t’i mundësojnë të shurdhërve të marrin shërbimet e tyre.
“KGJK-ja gjatë këtyre dy viteve ka miratuar edhe memorandumet e bashkëpunimit me disa prej organizatave të personave me nevoja të veçanta. Mundem me konfirmu se ndihem tepër i lumtur që kemi pasur mundësi t’i bëjmë pjesë të gjykatave pasi ky aktivitet ka me vazhduar. Rrjedhimisht sot po e promovojmë këtë inovacion i cili iu mundëson personave të shurdhërve të kenë qasje direkt në qendrën e interpretëve dhe lehtësimin e marrjes së shërbimeve nga gjykata. Ky aktivitet do të zhvillohet në të gjitha gjykatat e Kosovës dhe kemi qenë shumë të vëmendshëm që objektet e reja të gjykatave që po ndërtohen të kenë të gjitha mundësitë e qasjes në gjykatë për të gjithë qytetarët”, tha ai.
Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në të cilën u promovua tableti, Albina Shabani-Rama shprehu përkushtimin e saj për përmirësimin e qasjes në drejtësi të personave me aftësi të kufizuar.
“Si Gjykatë Themelore në Prishtinë jemi shumë të përkushtuar në përmirësimin e qasjes në drejtësi të personave me aftësi të kufizuar. Kemi ndërmarrë një sërë masash, një prej tyre tash është edhe tash tabloidi i cili do të promovohet sot dhe do t’iu mundësojë këtyre personave të kenë qasje të lehtë dhe të marrin informacione nga gjykata, pasi online do të lidhen me interpretin i cili do t’iu ndihmojë dhe komunikojë të gjitha ato që kërkojnë në gjykatë”, theksoi ajo.
Ofrimi i këtyre shërbimeve për personat e shurdhër u mundësua me mbështetjen e USAID-it në Kosovë. Me këtë rast, drejtori i Zyrës për demokraci dhe qeverisje pranë USAID-it, Noel Bauer tha se personat e shurdhër duhet të njihen si individë të vlefshëm në shoqërinë kosovare.
“Java e të drejtës së personave të shurdhër është një moment i rëndësishëm që të gjithë ne t’i njohim këta individë të vlefshëm në komunitetin tonë. Ndaj jam shumë i kënaqur që mund ta shfrytëzojmë këtë rast për të nxjerrë në pah shërbimet e reja për komunitetin e të shurdhërve. Këta tableta elektronikë të ri në Gjykatën Themelore të Prishtinës, mundësojnë komunikim të drejtpërdrejtë 24/7 për komunitetin e të shurdhërve përmes video thirrjeve në qendrën e dedikuar të thirrjeve. Ky sistem është një risi e mirëpritur e teknologjisë së lartë për Kosovën dhe është gjithashtu një përpjekje pioniere për Ballkanin në përgjithësi. USAID përmes aktivitetit për drejtësi dhe së bashku me partnerët tanë është e përkushtuar që të vendosë njerëzit në qendër të drejtësisë përmes inovacioneve të drejtësisë si këta tableta elektronik”, tha ai.
Në anën tjetër, drejtori i Shoqatës të Shurdhërve në Kosovë, Enver Kurtalani, u shpreh i lumtur me përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre, teksa nënvizoi se të shurdhërit nuk duhet të jenë prapa në shoqëri.
“Shpresoj që komuniteti i të shurdhërve do të përdorë dhe të ketë qasje në të gjitha gjykatat në Kosovë. Kjo përveç që i ndihmon komunitetit të shurdhërve, të njëjtën kohë i jep qasje në shërbime profesionale edhe interpretërve të gjuhës së shenjave. Jo familjarë apo interpret të tjerë por profesional…Komuniteti i të shurdhërve nuk do të jetë prapa por do të jetë i përfshirë si qytetarë i barabartë i shoqërisë. Kur t’i jepet e drejta në këtë rast të gjuhës së shenjave ata do të ndihen të barabartë”, deklaroi ai.
Më 23 shtator shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave, ndërkaq këto ditë po shënohet edhe java e komunitetit të personave të shurdhër.