Prokuroria e Specializuar në Hagë ka hapur sot gjykimin ndaj Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i akuzuar për krime lufte.
Prokurori i Specializuar, Jack Smith, gjatë fjalës hyrëse tha se përderisa rastet e tjera që do të dalin para kësaj gjykate, do të flitet për viktima të etnive të ndryshme, si shqiptarë kosovarë, serbë, romë, në rastin e Mustafës, sipas tij, të gjitha viktimat ishin bashkatdhetarët e tij, shqiptarë të Kosovës.
“Këta njerëz nuk ishin armiq të shtetit të Kosovës, ata nuk ishin spiunë. Ata ishin pjesëtarë të komunitetit, shqiptarë të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i të cilëve ishte se ishin parë nga të tjerët, për një arsye apo tjetër, ishin parë si pengesë e UÇK-së dhe udhëheqësve të saj dhe prandaj ishin etiketuar si kolaboracionistë”, tha Smith.
Sipas Prokurorisë së Specializuar “faji i vetëm” i disa viktimave ishte se ishin pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Smith gjithashtu ka lavdëruar Kosovën dhe popullin e saj për krijimin e Gjykatës Speciale dhe mbështetjen e këtij institucioni.
“Kjo gjykatë flet me krenari për përkushtimin e njerëzve në Kosovë për sundimin e ligjit. Njerëzit e Kosovës kanë qenë forca lëvizëse e zyrës tonë dhe këtij institucioni”, tha ai.
Prokurori i Specializuar, Smith tha se krimet e luftës nuk justifikohen.
“Kundërshtarët e kësaj gjykate përdorin shprehje si ‘lufta e pastër’. Si prokuror është përtej detyrës time të ju tregoj cila është luftë e pastër, por mund të them që krimet e luftës në një anë nuk i justifikon krimet në anën tjetër”, tha Smith.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) argumentoi se viktimat që ishin mbajtur në një qendër ndalimi në Zllash, ishin cilësuar si kolaboracionistë në luftë.
ZPS-ja ka dhënë detaje mbi vendin ku supozohet të kenë ndodhur krimet e kryera nga Salih Mustafa.
Sipas këtij përshkrimi, ndërtesa në Zllash ishte dykatëshe dhe e izoluar nga strukturat e tjera.
Kjo ndërtesë nuk qëndron sot, mirëpo sipas ZPS-së provat e shfaqura gjatë gjykimit do të dëshmojnë prezencën e të akuzuarit në këtë vend në kohën kur krimet pretendohet se u kryen.
Sipas Prokurorisë, dy nga viktimat e mbajtur në Zllash ishin trajtuar veçanërisht keq. Njëri nga ta nuk është gjetur asnjëherë, ndërsa trupi i njërit nga viktimave u gjet në një varr të cekët në distancë të shkurtë nga qendra në Zllash.
Mustafa e krahason Specialen me zyrën e Gestapos
Ndërkaq, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte.
Për akuzat ndaj tij, Mustafa edhe më herët është deklaruar i pafajshëm. Por, edhe gjatë fillimit të seancën, gjykatësja e pyeti nëse ende qëndron ky deklarim i tij dhe Mustafa tha:
“Po, për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.
Salih Mustafa paraqitet pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ka nisur gjykimi ndaj tij. Hagë, 15 shtator 2021.
Ky është gjykimi i parë që nis në Dhomat e Specializuara në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.
Për çka akuzohet Salih Mustafa?
Aktakuza kundër Mustafës për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar. Ai ishte arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë gjendet në paraburgim në Hagë të Holandës./REL