UBT News

​Ndërprerja e numërimit të votave në Mitrovicë, sqarohen nga KQZ

E Përditësuar:

08:10 

KQZ ka dalë me sqarim lidhur me situatën e krijuar me verifikimin e rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut, duke thënë se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit.

Në lidhje me këtë çështje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile dhe se kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë sqarim zyrtar lidhur me këtë rast.

KQZ thotë se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë dhe se për secilin vendvotim, fletëvotimet e shtypura kanë numra serikë të shënuar në pjesët amë të fletëvotimeve, të cilët përputhen plotësisht me numrin e fletëvotimeve të pranuara dhe të verifikuara deri më tani në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve siguron votuesit dhe akterët e përfshirë në procesin zgjedhor, se ky gabim teknik nuk ndikon në asnjë mënyrë në integritetin e procesit të votimit apo numërimit të votave, pasi fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që garantojnë se ato nuk mund të falsifikohen apo kopjohen.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar që përkohësisht te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletë votimeve në Qendrën  Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.

Në komunikatën për media thuhet se kjo vije si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime.

“Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime. Për këto arsyera, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”, thuhet në komunikatën për media./S.K/EO/

Exit mobile version