UBT News

Prokuroria trajtoi mbi 1.100 raste korrupsioni gjatë vitit 2025

Prokurori i Shtetit ka trajtuar gjatë vitit 2025 gjithsej 1.191 raste të korrupsionit, prej të cilave ka arritur të zgjidhë 903 raste, u bë e ditur në raportin vjetor të prezantuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.

Gjatë prezantimit të raportit në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Qalaj bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar Prokuroria ka pranuar 45.295 kallëzime penale dhe ka zgjidhur 42.123 prej tyre.

Sipas raportit, Prokurori i Shtetit ka trajtuar edhe raste të krimeve ekonomike, krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me qenie njerëzore dhe dhunës në familje.

Në fushën e krimeve ekonomike janë zgjidhur 420 raste, ndërsa gjatë vitit 2025 janë sekuestruar pasuri në vlerë mbi 64 milionë euro. Po ashtu, janë trajtuar 102 raste të krimit të organizuar dhe 28 raste të terrorizmit.

Raporti tregon gjithashtu se gjatë vitit të kaluar janë evidentuar 3.975 raste të dhunës në familje, ndërsa gjykatat kanë nxjerrë 1.930 vendime fajësuese për rastet e proceduara nga Prokuroria.

Sipas të dhënave të prezantuara, Prokuroria ka vazhduar t’i kushtojë rëndësi luftimit të korrupsionit dhe krimeve të tjera që cenojnë rendin dhe sigurinë publike në vend.

/A.K/

Exit mobile version