Koordinatorja për Dhunë në Familje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Shenaj Berisha po raporton në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.
Por, deputetët e pozitës janë shprehur të pakënaqur me personin që ka dërguar Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK) për të diskutuar në lidhje me ndjekjen dhe arsyetimin e rasteve, të dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje.
Sipas tyre, në këtë rast KPK i ka ikur përgjegjësisë duke mos ardhur dhe dhënë përgjigje për prokurorët që kanë marrë vendime skandaloze.
Shenaj Berisha theksoi se neni për dhunë në familje është shumë i paqartë dhe se nuk specifikon llojet e dhunës. Ajo tregoi se janë katër prokurorë në Prishtinë që merren me dhunë në familje.
“Nuk qëndron që Prokuroria nuk është duke u marrë me rastet e dhunës në familje. Ju ftoj të merreni pjesë në zyrën time e të shihni sa lëndë i kam. Unë kam raste që i kam dërguar në paraburgim bashkëshortët, dhe viktimat vijnë të tërhiqen dhe dëshirojnë që t’u lirohet burri”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa nënkryetarja e komisionit, Tinka Kurti theksoi se janë duke u marrë vendime qesharake.
“Prokuroria është pajtuar me një shumë monetare me rastin e dhunës ndaj një gruaje në market. Ligji për Këshillin Prokurorial iu jep mundësi që të nisin procedura ndaj prokurorëve”, u shpreh ajo.