Prokurori i specializuar, James Pace, tha se të ndaluarit në mënyrë të paligjshme, ishin mbajtur në “kushte të rënda”.
“Kushtet e ndalimit në disa vende të ndalimit ishin aq të rënda saqë disa persona të caktuar të mbajtur aty mendonin që më mirë të kishin vdekur sesa të mbaheshin ashtu”, tha prokurori Pace.
Ai po ashtu tha se të ndaluarit në shumë qendra të pretenduara ndalimi në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, u ishin nënshtruar rrahjeve me shufra hekuri, shkop bejsbolli e gjësendeve të tjera.
Në Llapushnik, sipas Pace, disa të ndaluarve ua shkulën thonjtë me darë.
“Në Llapushnik dyshemeja ishte prej betoni me fekale kafshësh të shpërndara përreth”, tregoi prokurori duke thënë se disa të ndaluar ishin të mbajtur të lidhur me zinxhirë dhe flinin në vendin e njëjtë ku kryenin nevojat fiziologjike.
Sipas tij, në një prej qendrave të ndalimit “disa të ndaluar u detyruan të hapnin varrin e vet”, e në vende të tjera panë të tjerët teksa rriheshin e merreshin në pyetje./REL