UBT News

Prokuroria: Sulmuesit dyshohen për vepra terroriste

Gjashtë persona janë ndaluar si të dyshuar për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Ata dyshohen për disa vepra penale, përfshirë edhe vepra terroriste, njofton Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Prokuroria Speciale, gjithashtu njofton se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale të ndaluarit dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Tutje në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të  armatimit të llojeve të ndryshme./UBTNews/

Exit mobile version