Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve P.T., A.G. për veprën penale detyrim, ndërsa ndaj M.A. për veprat penale fajde dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
P.T. dhe A.G. akuzohen se gjatë viteve 2022-2023, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë detyruar B.P. të ndërmarrë veprime në dëm të pasurisë së tij.
Sipas aktakuzës, P.T., e kishte autorizuar viktimën për shitjen e një lokali në pronësi të tij, duke e mashtruar se i ishte bllokuar llogaria bankare. Viktima kishte lidhur kontratë për shitjen e lokalit me A.G., në vlerë 150 mijë euro. A.G., me arsyetimin se nuk është realizuar kontrata, përmes kanosjes e ka detyruar viktimën të paguajë shuma të mëdha parash.
Ndërsa, M.A., e kishte detyruar B.P të paguajë tri herë më shumë sesa shumën e borxhit, të cilin viktima ishte detyruar ta merrte për shkak të gjendjes së rënduar financiare. Viktima është dëmtuar në shumën mbi 100 mijë euro./KP