Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Themelore, e cila i ka shpallur fajtorë Millun Millenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vllajiq për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicë të Veriut në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, në reagimin e prokurorisë thuhet se prokuroi i rastit do të shqyrtojë të drejtën e ankesës.
Millenkoviq dhe Vllajiq janë dënuar me nga pesë vjet burgim, ndërkaq Pantiq me dy vjet burgim. Gjykata Themelore ka liruar nga akuzat, Miomir Vakiq, raporton KosovaPress.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret aktgjykimin fajësues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lidhje me sulmin terrorist ndaj zyrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në dhjetor të vitit 2022 në Mitrovicë të Veriut. Gjykata e shkallës së parë i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Millun Millenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vllajiq, ndërsa ka liruar nga akuzat Miomir Vakiq. Pas pranimit të aktgjykimit të plotë, prokurori i rastit do të shqyrtojë të drejtën e ankesës”, thuhet në këtë reagim.
Prokuroria Speciale e ka vlerësuar këtë vendim si hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë, duke theksuar se “dërgon një mesazh se aktet e dhunës dhe kërcënimet ndaj institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të tolerohen”.
Aktgjykimi në rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022, është shpallur sot, më 28 korrik, në Gjykatën themelore në Prishtinë.
Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në dhjetor të vitit 2023 për veprën penale “akt terrorist”. Ata akuzohen për sulm me mjete shpërthyese ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës duke rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.