Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka realizuar të hënën një urdhër kontrolli në objektin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe në shtëpinë e të dyshuarit, kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, H. K.
Sipas njoftimit, hetuesit policorë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike kanë kryer urdhër kontrollin në kuadër të hetimeve që në koordinim me Prokurorinë Speciale, janë duke u ndërmarrë për të gjitha dyshimet që janë objekt i hetimit penal.
“Gjatë operacionit policor janë sekuesturuar prova materiale (dokumente) të cilat do të shërbejnë si prova relevante për rastin”, thuhet në njoftim.
Për më tepër thuhet se hetimet po zhvillohen për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; falsifikimi i dokumentit zyrtar; shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore; konflikt i interesit dhe keqpërdorimi dhe, ashtrimi në prokurorim publik.
Në fund thuhet se Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale./D.B/KP