Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi. Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe.
“Kërkesën për caktimin e paraburgimit kjo prokurori e ka paraqitur, pasiqë ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale: Spiunazhi nga neni 124 par. 3 të KPRK-së, ndërkaq i pandehuri M.Q. ka kryer edhe veprën tjetër penale: Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par 1 të KPRK-së, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftim.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska dhe gasmaska ushtarake.