UBT News

Prokuroria Speciale hedh poshtë kallëzimin penal ndaj kryetarit të Skenderajt, Fadil Nura

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka hudhur poshtë kallëzimin penal të bërë nga Florentina Shala-Gashi, ndaj kryetarit të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura lidhur me pretendimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ketë e ka bërë të ditur, vetë kryetari Nura përmes një postimi në median sociale, Facebook, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përgjegjësia, ndërgjegjja dhe profesionalizmi, më kanë udhëhequr dhe do të më udhëheqin gjithmonë në shërbim të interesit të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit”, ka shkruar ai, duke i bashkangjitur edhe faqen e parë të aktvendimit të Prokurorisë.

“Hedhet kallëzimi penal i parashtruar nga Florentina Shala Gashi, të cilin PSRK e kishte pranuar me datën 18.10.2024, kundër të dyshuarit Fadil Nura, kryetari aktual i Komunës së Skenderajt për të cilin dyshohej se me veprimet e tij të përshkruara si në kallëzim penal, kishte konsumuar veprën penale siç vijon: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse në këtë rast nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se personi i sipërshënuar e ka kryer veprën penale të lartpërmendur, në pajtim me nenin 84 paragrafi 2 nën-paragrafin 2.1 të KPPRK-së”, thuhet në aktvendimin e PSRK-së që ka ndarë Nura.

Në kallëzimin penal të ushtruar nga Shala-Gashi, thuhet se kryetari i Komunës, ia kishte ndërruar asaj pozitën e punës nga zëvendësdrejtore e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Skenderaj, duke e caktuar Sekretare të Shërbimit të Administratës dhe Personelit. Ndërsa, në pozitën e zëvendësdrejtorit kishte caktuar Ferat Kabashin.

Shala- Gashi, në kallëzim penal kishte thënë se pozitën e zv/drejtores e kishte ushtruar deri në ardhjen e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në pushtet.

Aty thuhet se më 28 dhjetor 2021, kryetari i ri i Komunës, Fadil Nura kishte vendosur që Shala-Gashit t’ia ndërrojë pozitën duke e kthyer në pozitën më të ulët që kishte pasur, më koeficient H-6-850.  Po me këtë datë, në pozitë të saj pa konkurs kishte caktuar Ferat Kabashin nga pozita e infermierit në pozitën e zv/drejtorit të QKMF-së, po ashtu me koeficientin  (H-6, 850).

Sipas saj, për një vit të dy kanë mbajtur koeficientin e njëjtë, kështu pretendon se kryetari ka dëmtuar buxhetin e Komunës për 17 mijë e 418 euro e 50 centë nga data e emërimit e deri më tani

Në anën tjetër, sipas këtij kallëzimi penal, pas një viti Shala-Gashi ka kërkuar përmes e-mailit nga kryetari Nura ta kthejë atë në pozitën për të cilën ka të lidhur edhe kontratën, por që nuk ka marrë përgjigje. E njëjta, aty thuhet se i është drejtuar Inspektoratit të Punës. Ky i fundit, i ka shqiptuar vërejtje dhe kishte obliguar kryetarin Nura t‘i eliminojë parregullsitë.

Pas kësaj, thuhet se më 28 shkurt 2023, Nura kishte marrë vendim për anulim të konkursit për zëvendësdrejtor, duke obliguar departamentin për burime njerëzore të bëjë shkëputjen e kontratës më Shala-Gashin për këtë pozitë dhe ta kthejë në pozitën zyrtare për personel dhe administratë.

Për këto shkelje, sipas një vendimi të Inspektoratit të Punës, Nura është gjobitur me 1 mijë e 500 euro.

Shala-Gashi është drejtuar edhe me padi në Gjykatë Themelore në Mitrovicë, ku shkalla e parë ia ka aprovuar në tërësi këtë padi për ta kthyer në vendin e punës së zëvendësdrejtore, ndërsa rasti tashmë gjendet në Gjykatën e Apelit.

Në kallëzim penal, ndër të tjera thuhet se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat, institucionet kanë qenë të obliguara të përgatisin listën e punonjësve që të bëhet barasvlerësimi i koeficientëve të vjetër me ata të ri, por që Ferat Kabashi është lënë pa koeficient me komentin që do të bëhet rishqyrtimi pas përfundimit të procesit gjyqësor.

Exit mobile version