Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime në lidhje me njërën ndër masakrat më të tmerrshme të kryera ndaj shqiptarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë, atë në Dubravë dhe deri më tash është ngritur një aktakuzë dhe janë 40 të pandehur të tjerë.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu në 25-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, ka thënë se institucionet e drejtësisë në vend do të angazhohen në maksimum për sjelljen e autorëve të kësaj masakre para drejtësisë.
“Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit, i cili vdiq pa u dënuar. Me lejoni t’ju informoj që në lidhje me masakrën e Dubravës tashmë po zhvillohen hetime nga Prokuroria Speciale dhe në këtë moment janë 40 të pandehur dhe në fund të vitit të kaluar Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuar për pjesëmarrjen në masakrën në Burgun e Dubravës. Nga këtu do të zotohemi që të ketë drejtësi”, ka thënë Haxhiu.
Njëri nga të mbijetuarit e masakrës Njazi Kryeziu thotë se e ka ende të freskët momentet e tmerrit të përjetuar.
“Kemi përjetime të rënda dhe momente që nuk do t’i harrojmë kurrë. Ne kemi përjetuar një nga masakrat më të tmerrshme që ka bërë pushteti serb… Është këtu dera kryesore, na kanë pritur policë, paraushtarakë, të burgosur serbë që kanë qenë të veshur, ushtarë dhe na kanë rrahur me një kordon dy krahësh”, ka thënë Kryeziu.
Ish-deputeti Daut Haradinaj masakrën në Dubravë e ka cilësuar ndër më të rëndat nga regjimi serb ndaj popullit shqiptar.
“Ne në asnjë rrethanë nuk duhet ta mohojmë dhe ta fshehim të vërtetën e krimeve makabre serbe mbi popullin tonë. Edhe këtu para këtyre heronjve që jemi mbledhur sot për t’i nderuar. Duhet bërë thirrje që në raport me Serbin të jemi unikë, të jemi të bashkuar, të jemi njëzëri sikurse në luftë pasi vetëm ashtu mund t’ia japim hakun edhe këtyre burrave që sot përkujtojmë dhe rreth 13 mijë shqiptarëve që rënë në luftën e fundit”, ka thënë Haradinaj.
I mbijetuari i masakrës së Dubravës Nait Hasani, ka thënë se autorët e krimit të kryer ndaj shqiptarëve të pafajshëm duhet të përballen me drejtësinë.
“Në këtë masakër mbetën 117 të vrarë e 300 të plagosur. Kjo vrasje është gjenocid i shteti serb mbi të burgosurit politik shqiptarë, është hakmarrje mbi të burgosurit e UÇK-së dhe vrasje e të burgosurve shqiptarë si shqiptarë. Mendojmë se kjo masakër është krim lufte dhe kryerësit duhet te gjykohen dhe dënohen nga gjykata e Kosovës”, ka thënë Hasani.
Masakra në Burgun e Dubravës është kryer prej datës 19-24 maj 1999. Brenda burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të vrarëve në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve. Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.