UBT News

​Prokuroria nis hetimet për votimin me postë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për të nisur hetimet lidhur me procesin e votimit me postë gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala. Ajo ka theksuar se, lidhur me pyetjen e dërguar, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës të grumbullojë dhe verifikojë informacionet, por në këtë fazë të procedurës nuk mund të ofrohen detaje të tjera, pasi mund të cenohej procesi hetimor.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për manipulim të votave me postë. Aktualisht, LVV-ja ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar anulimin e votave me postë të LDK-së dhe një rivotim të mundshëm me postë.

Ndërkaq, akuzat e LVV-së janë vazhdimisht mohuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, mërgata kosovare ka votuar përmes përfaqësive diplomatike dhe votimit me postë. Në përfaqësitë diplomatike, LVV-ja ka fituar mbi 80 për qind të votave, ndërsa LDK-ja ka qenë e treta me 7.3 për qind të votave. Po ashtu, në votimin me postë, LVV-ja ka marrë 51.89 për qind të votave, ndërsa LDK-ja ka siguruar 30.21 për qind./UBTNews/

Exit mobile version