Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mohuar të jetë hapur sërish grupi famëkeq “AlbKings”, që funksionon në rrjetin social “Telegram”, ku shpërndaheshin fotografi e numra të telefonave, me qëllim shqetësimin e ngacmimin seksual.
Nga kjo prokurori bëjnë me dije se raportimet janë bazuar në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, demanton lajmin i cili është duke qarkulluar në portalet vendore se është hapur përsëri grupi “Albkings”, pra ky lajm iu bëjmë me dije se i njëjti është i bazuar në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë, për çka iu kemi njoftuar përmes konferencës së mbajtur gjatë ditës së djeshme. Përmes këtij reagimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha mjeteve informuese të kenë parasysh vërtetësinë e lajmit para se të plasohet në opinionin publik, pasi lajme të tilla të pavërteta cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve tonë dhe kanë për qëllim ndikimi në imazhin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Prokuroria ka thënë se janë në monitorim të kësaj çështje dhe në qoftë se ka tendencë të hapjes së këtij grupi apo çfarëdo grupi tjetër të ngjashëm, prokuroria në koordinim me policinë do t’i ndërmerre masat e nevojshme.
Prokurorja e rastit, Elza Bajrami-Kastrati, bëri me dije dje në një konferencë për media se grupi është mbyllur përfundimisht.
“Kemi arritur që kërtë grup ta mbyllim përfundimisht. Kemi arritur t’i arrestojmë shtatë persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka bërë me dije janë arrestuar të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentitetit dhe kredencialeve.
Në një konferencë për media, Gashi tha se ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa përket veprave penale që do të ndiqen.
“ Lidhur me rastin “Albkings”, ju njoftoj se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe të arrestojë të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentiteti dhe kredencialeve. Marrë parasysh se jemi duke hetuar ende, kërkojmë që të kurseheni sa i përket pyetjeve, pasi që mund të cenojmë konfidencialitetin dhe integritetin e hetimeve. Ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa i përket veprave penale që do të ndiqen. Sot i kemi gjithsej 7 personave që i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të zgjerimit të hetimeve edhe për personat tjerë”, ka deklaruar Gashi.