UBT News

Prokuroria kërkon paraburgim për tre të dyshuarit e vrasjes në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve në rastin e vrasjes që ndodhi në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Sipas Prokurorisë, në mesin e të dyshuarve janë Sh. O., një i mitur dhe A. O., e cila dyshohet për shtytje në kryerjen e veprës penale. Të dyshuarit ndodhen në ndalim dhe po hetohen për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Shtytje në vrasje të rëndë”.

Sipas hetimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur më 14 qershor pas një konflikti të mëhershëm lidhur me emërtimin e një rruge në lagje. Konflikti verbal dyshohet se ka eskaluar në përleshje fizike, ku janë përdorur mjete të mprehta.

Si pasojë e plagëve të marra, viktima A.O. ka humbur jetën, ndërsa I.O. ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar

/A.K/

Exit mobile version