Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurave N.M. dhe N.H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3, pika 3.1 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të KPRK-së.
“Ju njoftojmë se pas publikimit të video-incizimit në media dhe portale, mbi dyshimet për keqtrajtim të një fëmijë në njërën nga çerdhet në Fushë Kosovë, Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, si dhe në koordinim me institucionet e tjera relevante janë angazhuar në trajtimin e këtij rasti, ashtu që pas përfundimit të hetimeve preliminare, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personave të lartcekur, në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet në komunikatë se: Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, fëmija është dërguar për t’i përfunduar ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore, sipas dispozitave të KPPRK-së, andaj në bazë të rezultateve nga ky raport, dyshohet se të pandehurat duke i keqpërdor detyrat e tyre zyrtare, me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, me forcë e kanë tërhequr për krahë të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”.