Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës dënimin me burg Leka Zogut, Elia Zaharias dhe të atit të saj, Gjergj Zaharia. Më tej, kërkesat janë pezulluar për t’u konvertuar në shërbime prove. Kërkesat nga Prokuroria në lidhje me Princin Leka kanë ardhur pas dhunës së ushtruar ndaj ish-bashkëshortes, Elia Zaharia dhe babait të saj.
Seanca për shpalljen e vendimit pritet të jepet më 13 dhjetor të këtij viti.
Hetimet e prokurorisë nisën pas publikimit të një videoje që u filmua nga Leka Zogu ku ai shihet të dhunohet fizikisht dhe verbalisht nga ish-bashkëshortja dhe babai i saj, por edhe prej kallëzimit në prokurori për dhunë në familje.
Konflikti ndodhi në mars të këtij viti në rezidencën e familjes mbretërore.
Në dëshminë e tij, Princ Leka tregonte se konflikti kishte nisur fillimisht me dhunë verbale që më pas përshkallëzoi në dhunë fizike prej palëve të tjera. Nga ana tjetër, edhe Gjergj Zaharia dhe Elia Zaharia kanë shprehur se kanë qenë viktima të dhunës nga Zogu.
Ekspertiza mjeko-ligjore më vonë ka gjetur gjurmë të dhunës tek të tre personat e përfshirë në ngjarje.
Në prill të këtij viti, Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e martesës mes Leka Zogut dhe Elia Zaharisë. Divorci mes çiftit është bërë me pranimin e të dyja palëve.