UBT News

Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për katër serbët e arrestuar në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masën e paraburgimit për katër shtetas serbë të arrestuar në qytet, pasi dyshohet se ata kanë kryer veprën penale të mbajtjes së armëve të paautorizuara. Sipas kërkesës së Prokurorisë, të pandehurit, me inicialet B.R., N.V., P.K., dhe M.S., janë arrestuar më 5 prill 2025, në Gjakovë, gjatë një kontrolli rutinë nga zyrtarët policorë.

Ngjarja ndodhi kur të pandehurit po udhëtonin me një automjet të tipit Toyota, ngjyrë hiri, dhe kishin tejkaluar shpejtësinë e lejuar në një zonë të kufizuar. Pasi janë ndaluar nga policia, ata kanë deklaruar se nuk mbajnë asgjë të paligjshme në automjet, dhe kanë kërkuar që të kontrollohet vetura. Gjatë kontrollit, u gjetën disa mjete të mprehta, përkatësisht një sopatë, një thikë me këllëf dhe një thikë sharrë.

Prokuroria ka kërkuar që këta individë të mbahen në paraburgim për 30 ditë, ndërsa dyshimet janë të bazuara në ligjin për armët, ku thuhet se ata kanë mbajtur dhe përdorur armë të ftohta pa leje gjatë vizitave të organizuara në disa manastire ortodokse në territorin e Kosovës. Sipas Prokurorisë, këto veprime janë në kundërshtim me legjislacionin e Kosovës dhe formojnë një bazë të fortë dyshimi për veprën penale të mbajtjes së armëve të paautorizuara.

Kërkesa për paraburgimin e të pandehurve është paraqitur në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dhe është pritur që ajo të merret në shqyrtim./UBTNews/

Exit mobile version