Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mbajtur konferencë për medie lidhur me rastin e rrëmbimit dhe vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti ka bërë të ditur se është publikuar raporti i mjekësisë ligjore, me të cilin është vërtetuar edhe identiteti i Bedri Rexhepit.
Me 30 shtator janë gjetur mbetjet mortore që dyshohet se i përkasin Rexhepit, i cili ishte zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar.
Bedri Rexhepi më 8 prill të vitit 2021 kishte dalë nga banesa e tij në rrugën B. Ndërkohë, që dyshohej se ai ishte rrëmbyer. Për këtë çështje në pranga të policisë kanë përfunduar tre persona.
Njëri prej tyre ishte paraqitur si agjent i CIA-s, duke paraqitur fakte të rreme te familja e biznesmenit, kurse tash së fundmi është arrestuar edhe Jeton Vllasaliu.
Sipas familjarëve të ndërmarrësit, në ditën kritike kur Bedri Rexhepi kishte dalë nga banesa, kishte qenë nën shoqërinë e klientit të tij, Jeton Vllasaliu.
Ndërsa, një ditë pas zhdukjes, vetura ishte gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit dhe pa shenja për Rexhepin. Ai punonte me tregtarë të ndryshëm, ndërkaq sipas familjarëve, ai nuk kishte pasur probleme me askënd.