UBT News

Prokuroria e Prizrenit zbulon tri raste të grabitjes, arrestohet një person

Prokuroria Themelore në Prizren sot ka informuar se ka zbuluar tri raste të grabitjes, derisa ka arrestuar një person.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi me inicialet D.G, i cili gjendet në masën e ndalimit prej 48-orëve. D.G dyshohet se ka kryer veprat penale “Grabitja”.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit D.G., i cili gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Grabitja” e ngelur në tentativë nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 28, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri D.G., me datë 03.05.2023 rreth orës 16:04 minuta, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e njërit nga filialat mikrofinanciare, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, tenton ta përvetësoj pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarës, me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që i njëjti i maskuar dhe nën kërcënimin e armës tenton të kryej grabitjen mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit – i dëmtuari S.Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime trupore, i penguar nga zyrtari i sigurimit, i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur dhe gjatë ikjes të njëjtit në vendin e ngjarjes i bien çelësat që kishte me vete, në mesin e të cilëve edhe çelësi i veturës. Me këto veprime kishte për të kryer veprën penale “Grabitja” e ngelur në tentativë sipas KPRK-së”, ka bërë të ditur Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, D.G posedon edhe armë në kundërshtim me Ligjin për armët.

Exit mobile version