Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se dy persona janë arrestuar në aksionin e Njësisë Speciale të Policisë, në Ndërmarrjen Publike “Pallati i Rinisë”.
Siç ka thënë zëdhënjësa e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në Ndërmarrjen Publike ‘Pallati i Rininsë’. Deri më tani kemi të ndaluar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me Keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Pas përfundimit të aksionit do të informoheni për detaje tjera”, ka thënë Kozmaqi.