Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës i ka lëshuar urdhër policisë për ndalimin e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviç dhe kryetarit të Paralmentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiç, me qëllim që të merren në pyetje.
Urdhri për ndalimin e Dodikut, Vishkoviçit dhe Stevandiçit u lëshua nga prokurori i Prokurorisë së Bosnjës, Çazim Hasanpahiç. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”.
Njoftimi vjen në ditën kur autoritetet në Republikën Sërpska planifikojnë që entitetin në Bosnje e Hercegovinë ta përcaktojnë si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën për vetëvendosje, të krijojnë ushtrinë e vet dhe të heqin Këshillin e Popujve, sipas një drafti të ri të Kushtetutës të Republikës Sërpska. Këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës.
Ligji për procedurën penale i Bosnje dhe Hercegovinës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar për dhënien e dëshmisë, në rast se personi i thirrur në institucionet gjyqësore refuzon ta bëjë këtë.
Zyra e Prokurorit ka dorëzuar urdhrin për ndalim te policia gjyqësore dhe ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Brendshme e Republikës Sërpska dhe nga Agjencia për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), raportoi radioja në Republikën Sërpska.
Drejtori i gjykatës policore në Republikën Sërpska, Zhellko Dragojeviç, i tha televizionit se kjo polici nuk ka dhe nuk mund të lëshojë urdhëra të ndalimit sepse kjo gjë është brenda juridiksionit të SIPA-së dhe Gjykatës Policore të Gjykatës së Bosnjës.
Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska pritet të diskutojë këtë të mërkurë draft-kushtetutën e këtij entiteti që paraqet edhe një lëvizje tjetër secesioniste nga autoritetet e këtij entiteti, pasi u miratuan ligje që ndalojnë funksionimin e institucioneve gjyqësore dhe hetuese të Bosnjës në territorin e Republikës Sërpska.