Prokuroria Themelore e Ferizajt do të bëj një kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, dy të dyshuarit për vrasjen e 18 vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmanit.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar Vjosa Baftiu, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
“Referuar kërkesës suaj për të dhëna, ju njoftojmë se për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të paraqesë kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve“.
Sipas aktakuzës Dardan Krivaqa dyshohet se më 22 gusht 2021, në banesën e tij, me dashje dhe në mënyrë mizore, kishte ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj të ndjerës, e cila më pas kishte ndërruar jetë.
I dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, gjatë gjithë kohës kishte qenë i pranshëm dhe se kishte ushtruar dhunë fizike e psikike mbi të ndjerën.
Prokuroria Themelore në Ferizaj tashmë ka pranuar raportin e autopsisë së Marigona Osmanit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Por, për shkak të procesit të hetimeve, kanë njoftuar se nuk mund të japin detaje për publikun.
Masa e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve skadon më 21 nëntor derisa nuk dihet afati sesa do të zgjatet kjo masë ndaj tyre.