UBT News

Prokuroria do të kërkojë masën e paraburgimit për oficerin korrektues që u arrestua për marrje ryshfeti

Prokuroria do të kërkojë masën e paraburgimit për oficerin korrektues që u arrestua në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, e që dyshohet për marrje ryshfeti.

Prokuroria Themelore në Prizren, nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë të ditur se oficeri është arrestuar në flagrancë duke futur disa gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për një person të paraburgosur.

“Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, pas një hetimi disa mujor në koordinim me Drejtorinë e Hetimit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion – DPP në Prishtinë, duke aplikuar masat e fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, ka arritur të arrestojë në flagrancë personin me inicialet B.R., në cilësi të oficerit korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Marrje e ryshfetit nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). I pandehuri B.R., dyshohet se ka mundësuar futjen e disa gjërave të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për një person të paraburgosur. Me aktvendim të prokurorit, i pandehuri është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në komunikatën për medie.

Pas arrestimit, Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka suspenduar nga puna oficerin e arrestuar.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinioni publik se sot rreth ores 19:15, pas marrjes së konfirmimit nga Policia Kosovës, respektivisht nga Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion , se zyrtari korrektues, B.R punonjës në Qendrën e Paraburgimit Prizren është arrestuar nën dyshimin për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, të njëjtin e ka suspenduar nga puna”, njoftoi ShKK.

Exit mobile version