UBT News

Prokuroria: 70-vjeçari në Prishtinë vrau gruan me sëpatë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e sotme në kryeqytet, ku një 70-vjeçar ka vrarë me sëpatë gruan e tij 63-vjeçare. I dyshuari është ndaluar.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952) për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas KPRK-së. Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë.”, ka informuar Prokuroria.

Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes me ç’rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, thuhet tutje në komunikatën e Prokurorisë.

Exit mobile version