Prokurori i rastit “Banjska”, Naim Abazi ka thënë se për të ngritur aktakuzë ndaj 45 personave të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur. Sipas tij, si dëshmi janë marrë 120 pajisje elektrike, 1 mijë e 266 armë e pajisje të tjera.
Sfidë në kryerjen e punëve ai e ka cilësuar mungesën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve për shpëlarje parash dhe përdorimin e teknologjive në aktivitetet kriminale nga të akuzuarit.
“Hetimet për këtë rast kanë qenë hetimet më komplekse që ka pasur ndonjëherë kjo Prokurori dhe ky proces ka kërkuar hetim intensiv ku janë përfshirë agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit. Kemi realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe me të pandehur, janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike, rreth 1266 armë të pajisjeve të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje. Ndër të akuzuarit kryesor është individi me pozitë kyçe si udhëheqësi i grupit Milan Radojiçiq i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarin kriminale. Kemi bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar duke përfshirë vendet e BE-së, ShBA-të dhe shtet e tjera të cilat kemi arritur ti sigurojmë dëshmi të rëndësishme. Këto kërkesa janë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit”, ka thënë ai.
Abazi po ashtu ka thënë se gjatë procesit janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, prona, vetura të blinduara e mbi 1 mijë e 200 armë.
“Ky veprim ka për qëllim të parandalojë përdorimin e këtyre aseteve për aktivitete e mëtejshme kriminale për të goditur grupet financiare… Fondet janë transferuar përmes rrjeteve të ndërlikuara financiare duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime në pasuri të paluajtshme. Gjurmimi i këtyre parave ka kërkuar analizë të hollësishme financiare dhe përfshirjen e ekspertëve të fushë”, ka thënë Abazi.