UBT News

Prokurori Juniku tregon se çka e shkaktoi helmimin me ujë në Deçan

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini” për helmimin e qytetarëve në Deçan vitin e kaluar.

Prokurori Dorian Juniku në një konferencë për medie të hënën, tha se aktakuza është ngritur ndaj drejtorit teknik dhe kimistes së kompanisë “Hidrodrini”. Të njëjtit, sipas tij, dyshohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mos evitim të rrezikut.

“Sot më 7 shkurt 2022 kam ngritur në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, aktakuzën kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës të kompanisë rajonale ‘Hidrodrini’ në Pejë. Atë kundër drejtorit të Departamentit Teknik për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe kundër kimistes të po kësaj kompanie për veprën penale mosevitimi i rrezikut”, tha ai.

Në bazë të raporteve, prokurori Juniku tha se helmimi ka ndodhur nga mungesa e klorit dhe testimeve të pakta dhe jo të rregullta të pusetave.

“Muaji korrik i vitit 2021 nuk ishte i lehtë për qytetarët e komunës së Deçanit dhe dhjetë fshatrave përreth dhe po ashtu as për ne si prokurori. Asokohe hiç më pak se 1 mijë e 500 qytetarë kishin kërkuar ndihmë mjekësore në mesin e tyre edhe 51 fëmijë. 872 kanë pasur simptoma që i referohen helmimeve nga uji i pijshëm dhe raporti i gastroenteritet epidemiologjik të IKShPK-së është konstatuar se të njëjtit kanë pasur bakterien esheriakoli dhe bakterin e njohur si novovirus e shkaktuar nga mungesa e klorit dhe testimeve shumë të pakta dhe aspak të rregullta, ashtu siç përcaktohet në udhëzimet administrative të ‘Hidrodrinit’”, tha ai.

Lidhur me dyshimet për implikimin dy personave të nacionalitetit serb në helmimin e qytetarëve në Deçan, prokurori Juniku tha se nuk ka rezultuar se të njëjtit janë të përfshirë në këtë rast.

“Në kohën kur janë identifikuar dy personat e nacionalitetit serb dhe kemi marrë të gjitha veprimet dhe kemi punuar me kujdes të shtuar dhe profesionalizëm të lartë. Kemi bashkëpunuar ngushtë edhe me organet e sigurisë, mirëpo në fund ka rezultuar se njëjtit nuk janë të involvuar me rastin në fjalë”, përfundoi ai.

Në verën e vitit të kaluar rreth 1 mijë e 500 qytetarë nga Deçani kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit nga uji i pijshëm.

Exit mobile version