Për rastin e masakrës së Mejes, deri më tani janë ngritur 53 aktakuza të strukturuara në tri grupe. Ndërkaq për masakrën e Dubravës, nën hetim janë 88 të pandehur. Kështu u tha në një konferencë për media nga prokurorët e Prokurorisë Speciale.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se do të vazhdojnë pa u ndalur në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Ai shtoi se drejtësia do të funksionojë për të gjithë, pa dallim përkatësie nacionale.
Ndërkaq prokurorja Drita Hajdari tha se për rastin e masakrës së Mejes, në aktakuzë bëjnë pjesë 53 persona, derisa shtoi se aktakuza është strukturuar në tri pjesë. Hajdari potencoi se pjesa e parë përfshinë grupin e pesë të pandehurve që e kanë planifikuar masakrën, pjesa e dytë përfshinë 11 të pandehurë, që në bashkëpunim me grupin e parë kanë hartuar planin. Ndërkaq, shtoi se në pjesën e tretë janë të përfshirë 37 të pandehurë, që sipas saj, janë ekzekutorë direkt që kanë kryer masakrën ose kanë ndodhur në të.
Prokurorja Drita Hajdari foli edhe për rastin e vrasjeve në fshatin Rekë e Keqe më Gjakovë, derisa theksoi se hetimi i prokurorisë speciale vërteton se në fund të prillit të vitit 1999, ishte zhvilluar një operacion sistematik i ushtrisë Jugosllave dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë, përcjellë edhe me grupe paramilitare. Ajo potencoi se në këtë operacion mbetën të vrarë 370 civilë.
Ndërsa prokurori Ilir Morina tha se për rastin e masakrës së Dubravës nën hetim janë 88 të pandehur, derisa shtoi se ky hetim po vazhdon për një kohë të gjatë. Ai potencoi se një i pandehur është në paraburgim, derisa theksoi se masakra e Dubravës nuk përfundon me këtë aktakuzë, por që po mbledhin faktet dhe po procedojnë me provat e tjera.