Asambleja Rinore S!NERGY, një ngjarje e rëndësishme e organizuar nga IAYSP EUME, u mbajt nga 24 deri më 27 tetor në Budapest, Hungari. Ky event ofroi një platformë për të rinjtë nga e gjithë Europa dhe Lindja e Mesme për të prezantuar iniciativat e tyre dhe për të ndarë përvoja të çmuara.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Prof. Dr. Denis Çelçima, dekania e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, theksoi mbështetje të fortë për nismat që fokusohen tek të rinjtë dhe përpjekjet për ndërkombëtarizim. Dekania përcolli urimet e Rektorit Prof. Dr. Edmond Hajrizi, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të UBT-së në zhvillimin e projekteve rinore dhe në ndihmën e tyre për të arritur qëllime ambicioze.
Ejona Icka, drejtoresha ekzekutive e YSP Balkan, foli për bashkëpunimin frutdhënës me UBT, duke e cilësuar këtë partneritet si një ndikim pozitiv në zhvillimin e projekteve rinore. Ajo theksoi se ky bashkëpunim ka krijuar mundësi për rinjtë të angazhohen në iniciativa që adresojnë çështje të rëndësishme sociale dhe zhvillimore.
Në këtë asamble, studentët e UBT-së paraqitën tre projekte të shkëlqyera, duke e bërë kështu të qartë përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Njëri nga këta projekte, i realizuar nga studentët Blend Reselica, Klea Vezaj, Gjergj Rexhaj dhe Vlera Kelani, u shpall fitues i vendit të parë. Ky projekt u vlerësua si më inspiruesi, duke adresuar në mënyrë efektive disa nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs).
Bogdan Pammer, presidenti i IAYSP EUME, theksoi se kontributet e YSP Balkan dhe UBT kanë ndihmuar në krijimin e një platforme ndërkombëtare, ku të rinjtë e talentuar mund të angazhohen në proceset formuese dhe ndërtuese të vendeve të tyre, duke adresuar me efikasitet sfidat që i përballin.
Ky sukses u shoqërua me urime të shumta për studentët e UBT-së për arritjet e tyre të jashtëzakonshme, dhe një falënderim të veçantë për YSP Balkan për mbështetje të vazhdueshme dhe për punën e palodhur të realizuar deri tani.
Ballkani Perëndimor ishte i përfaqësuar me dinjitet, me 14 pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duke demonstruar unitet dhe forcë rajonale. YSP Balkan shprehu mirënjohje për institucionet mbështetëse si UBT, Shkolla e Mesme UBT dhe Universiteti i Tetovës, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e iniciativave rinore.
Me fillimin e nëntorit, YSP Balkan është e ngazëllyer për të nisur vitin e tretë të projekteve, trajnimeve dhe aktiviteteve në Ballkan. Këtë vit, organizata mirëpret partnerë dhe institucione të reja, të cilët janë të gatshëm të mbështesin iniciativat dhe programet me fokus te rinia. Kjo është një periudhë premtuese për të rinjtë, që do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit./UBTNews/