Shtetet e Bashkuara të Amerikës në buxhetin e ri të propozuar nga presidenti Joe Biden morën vendim që t’i akordojnë Kosovës rreth 200 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës së gazit.
Kjo do t’i jepte Kosovës mundësinë për të përdorur gazin si lëndë djegëse kalimtare derisa të ketë mundësi për të përdorur hidrogjen.
Kostoja e projektit që mund të arrijë deri në 600 milionë euro është një nga arsyet pse u refuzua ky projekt nga qeveria e Kosovës. Por pak ditë me parë, në një përgjigje për Zërin e Amerikës një zëdhënës i ambasadës amerikane në Kosovë tha se pjesa më e madhe e financimit do të bëhej nga fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
SHBA-të kërkojnë krijimin e një tregu të qëndrueshëm energjetik midis vendeve të rajonit.
Harta energjetike përfshin interkonektorin që lidh Greqinë dhe Bullgarinë, dhe që do të jetë përcjellës i gazit përmes Bullgarisë në Maqedoninë së Veriut.
Maqedonia e Veriut do të përfshihet në ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm, pranë qytetit grek Aleksandropulos.
Rreth 55 milionë euro është kostoja për ta lidhur Maqedoninë e Veriut me gazsjellësin në Aleksandropulos, nga të cilat 13 milionë euro të pakthyeshme për këtë projekt janë siguruar nga fondet evropiane.
Në korrik të këtij viti Maqedonia e Veriut dhe Greqia nënshkruan në Athinë marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit mes dy shteteve.