UBT News

​Projektbuxheti, Sveçla: Asnjëherë policia nuk ka pasur investime më shumë sesa tani

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se buxheti për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME) është rritur për 97 për qind, për Policinë e Kosovës 17 për qind, ndërsa për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) 16 për qind. Ai shtoi se totali i buxhetit për Agjencinë Kosovare të Forenzikës është 1.7 milion euro.

Gjatë seancës së Kuvendit, Sveçla potencoi se buxheti i investimeve kapitale për Policinë e Kosovës është mbi 20 milionë euro, për dallim nga viti paraprak që ishte rreth 13 milionë euro.

“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka rritje të buxhetit për 97 për qind në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave. Për Policinë e Kosovës 17 për qind, për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit 16 për qind… Totali në investimet kapitale është 5.8 milionë, rritje prej 3.8 milionësh në AME. Në Policinë e Kosovës, buxheti i investimeve kapitale është 21.7 milionë për dallim prej vitit 2023, kur ka qenë 12.7 milionë euro. Pa e harruar faktin se kemi pasur 9 milionë euro shtesë të miratuara nga qeveria për investimet në pajisjet policore, për operacione speciale, të cilat tashmë janë realizuar”, tha Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla foli edhe për ndarjen e mjeteve nëpër agjenci sa i përket kibernetikës.

“Në çështjen e sigurisë kibernetike ne kemi planifikuar 4.5 milionë investime kapitale në ASHI, që janë 700 mijë euro më shumë se sa në vitin paraprak. Tek Agjencia e Kosovës për Forenzikë, totali i buxhetit për Agjencinë Kosovare të Forenzikës, është 1.7 milionë euro që i bie rritje në investimet kapitale për pajisjet laboratorike dhe automjete të specializuara në 371 mijë euro…Në vitin 2023 në buxhet kanë qenë të parapara 12 milionë e 667 mijë, kurse në vitin 2024 parashihen 21 milionë e 707 mijë euro, kjo është rritja më e madhe ndonjëherë… Kurrë më herët, këtë standard këto pajisje, këtë investim Policia e Kosovës nuk e ka gëzuar më shumë se sa vitin e kaluar se që planifikohet për vitin e ardhshëm”, theksoi Sveçla.

Ndërkaq, Sveçla në replikën ndaj deputetit Anton Quni, tha se kanë blerë më shumë autoblinda sesa që kanë gjetur.

“Kemi bërë blerje të numrit të autoblindave më shumë sesa të gjitha vitet e mëhershme, kemi blerë autoblinda më shumë se sa që kemi gjetur në gjithë historinë e Policisë së Kosovës”, replikoi Sveçla.

Exit mobile version