Projeksionet e televizioneve franceze tregojnë se Emmanuel Macron ka fituar mandatin e dytë në zgjedhjet presidenciale të Francës me 58 për qind të votave.
Francezët kanë votuar më 24 prill për të zgjedhur presidentin e tyre për pesë vjetët e ardhshëm.
Macron ka garuar kundër kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen. Ajo besohet se ka fituar 42 për qind të votave.
Projeksionet e përgatitura nga mediat franceze janë kombinim i rezultateve reale dhe atyre të sondazheve, andaj konsiderohen tejet të besueshme.
Momentet e gëzimit janë parë menjëherë në ekranet e mëdha afër Kullës Eiffel, ku janë mbledhur mbështetësit e Macronit, të cilët janë parë me flamuj francezë dhe ata të Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, mbështetësit e Le Penit janë dëgjuar duke bërtitur me zemërim teksa kanë marrë vesh lajmin.
Fitorja e pro-evropianit Macron mund të konsiderohet nga disa si pushim nga ngjarjet që kanë goditur politikën kohën e fundit, përfshirë largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe rritjen e një gjenerate të liderëve nacionalistë.
Macron është bërë presidenti i parë në historinë moderne të Francës që ka fituar mandat të dytë dhe ka shumicë parlamentare.
Franca mban zgjedhjet e reja për Parlament në muajin qershor dhe situata mund të ndryshojë, mirëpo tani për tani ai mund të vazhdojë të çojë përpara politikat e tij të brendshme dhe ato ndërkombëtare./REL