Programi i Studimeve Juridike në UBT është i ndërtuar për të ofruar një edukim të avancuar dhe cilësor në fushën e së drejtës, me qëllim formimin e profesionistëve të aftë për të vepruar në mjedise juridike kombëtare dhe ndërkombëtare. Misioni i këtij programi është të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme përmes mësimdhënies inovative, kërkimit shkencor dhe përgatitjes profesionale të studentëve.
Gjatë studimeve, studentët pajisen me njohuri të thelluara në fushat kryesore të së drejtës, duke përfshirë të drejtën civile, penale, administrative, tregtare dhe kushtetuese, si dhe të drejtën ndërkombëtare. Ata mësojnë të kuptojnë dhe analizojnë legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar sipas hierarkisë së normave juridike, të interpretojnë kornizën ligjore të Kosovës dhe doktrinën juridike, si dhe të zbatojnë normat juridike në fusha të ndryshme të së drejtës. Gjithashtu, zhvillojnë aftësi për hartimin e dokumenteve ligjore dhe argumenteve profesionale sipas metodës IRAC, përmbledhjen dhe analizimin e vendimeve gjyqësore, si dhe aftësi të avancuara kërkimore dhe analitike për trajtimin e çështjeve komplekse juridike.
Programi i kushton rëndësi të veçantë praktikës profesionale, duke i mundësuar studentëve angazhim në klinika juridike, simulime gjyqësore dhe vizita studimore në institucione të drejtësisë si gjykata dhe prokurori, ku ata fitojnë përvojë direkte në praktikën reale juridike. Po ashtu, studentët zhvillojnë aftësi komunikimi profesional me shkrim dhe me gojë dhe aftësi pune në ekipe multidisiplinare me institucione të zbatimit të ligjit, OJQ dhe sektorin privat.
Një komponent i rëndësishëm i programit është edhe bashkëpunimi me institucione vendore dhe ndërkombëtare, i cili përfshin institucione si Gjykata Themelore e Prishtinës, Prokuroria e Shtetit, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Agjencia Kosovare e Konkurrencës dhe Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Këto bashkëpunime u mundësojnë studentëve zhvillim të praktikave profesionale dhe qasje në përvojë reale institucionale, duke rritur ndjeshëm gatishmërinë e tyre për tregun e punës.
UBT gjithashtu ka ndërtuar një rrjet të gjerë bashkëpunimi me rreth 280 universitete në mbarë botën, duke mundësuar shkëmbime akademike, mobilitet studentor dhe të stafit, si dhe pjesëmarrje në projekte dhe aktivitete ndërkombëtare kërkimore e shkencore. Këto bashkëpunime kontribuojnë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe në zgjerimin e përvojës akademike dhe kulturore të studentëve.
Në vitin 2026, UBT është vlerësuar si i pari në botë në kategorinë “University Brand and Reputation” në rangimin global WURI, gjë që vërteton reputacionin dhe ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë. Ndër sukseset më madhore, UBT ka fituar titullin “Engaged University of the Year”, duke u pozicionuar si universiteti më i mirë në botë në këtë kategori dhe duke lënë pas institucione prestigjioze nga Suedia, Kanadaja, Australia dhe Arabia Saudite.
Me mbi 25 vite traditë, inovacion të vazhdueshëm dhe ekselencë akademike, UBT mbetet një nga alternativat më të fuqishme dhe më të sigurta për të gjithë ata që synojnë një karrierë të suksesshme dhe me ndikim në fushën e drejtësisë dhe shkencave sociale.
/A.K/
